Secondary Adv

6 vite nga tërmeti i 2019, Shqipëria ende në rindërtim

Gjashtë vite pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, procesi i rindërtimit vijon ende, ndërsa kostoja e financuar nga buxheti i shtetit ka kaluar 1 miliard euro, pa llogaritur donacionet dhe projektet e partnerëve ndërkombëtarë.

Rindërtimi vazhdon, tenderat ende hapen

Tërmeti i vitit 2019 mori 51 jetë dhe la qindra familje të pastreha në disa qytete kryesore si Durrës, Fushë-Krujë, Laç, Lezhë dhe Tiranë. Edhe pse kanë kaluar gjashtë vite, procesi nuk është përfunduar plotësisht dhe institucionet vijojnë të hapin tendera të rinj për pallate në kuadër të programit të rindërtimit. Deri në fund të vitit 2024, rreth 12 mijë familje kanë marrë çelësat e banesave të reja, ndërsa shumë të tjera mbeten ende në pritje.

 

Kosto mbi 1 miliard euro dhe fonde ende në rritje

Që prej vitit 2020, nga buxheti i shtetit janë paguar mbi 1 miliard euro për rindërtimin. Shpenzimet kulmuan në vitet 2021 dhe 2022, ndërsa më pas kanë ardhur në rënie. Në buxhetin e vitit 2025 janë parashikuar 5 miliardë lekë të tjera (50 milionë euro), ndërsa për vitin 2027 janë planifikuar 1.5 miliardë lekë. Deri në tetor 2025, nga fondet e këtij viti ishin shpenzuar vetëm 2.3 miliardë lekë.

 

Roli i donatorëve më i vogël se pritej

Nga angazhimet prej 1.15 miliardë euro të konferencës së donatorëve të vitit 2020, kryesisht janë realizuar vetëm projektet e BE-së të fokusuara në shkolla dhe objekte kulturore. Pjesa më e madhe e banesave është financuar nga buxheti shqiptar, ndërsa kontributet më të prekshme kanë ardhur nga Turqia me 524 apartamente dhe Emiratet e Bashkuara. Vetëm dëmet në banesa vlerësoheshin mbi 800 milionë euro.

 

Ngjarja që la gjurmë

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 me magnitudë 6.4 ballë u ndje deri në 9 ballë në Hamallaj, Jube dhe Rrushkull dhe shkaktoi panik që vijoi për muaj të tërë. Përveç viktimave dhe të plagosurve, shembja e qindra ndërtesave solli pasoja të thella sociale, ndërsa edhe sot ka familje që nuk janë sistemuar plotësisht.

 

Shtete të shumta ofruan ndihmë humanitare dhe ekipe kërkim-shpëtimi, që ndihmuan në nxjerrjen e të mbijetuarve dhe viktimave nga rrënojat, një moment solidariteti që la gjurmë të forta në kujtesën kolektive.

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat